LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Përfundon votimi, pritet rezultati

Ka përfunduar procesi i votimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku delegatët u deklaruan pro ose kundër kërkesës për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Pas mbylljes së votimit, ka nisur hapja e kutive të votimit dhe procesi i numërimit të fletëvotimeve.

Raportohet se numërimi pritet të përfundojë shpejt.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Në janar 28 vota vendosën fatin e Abdixhikut në krye të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, më 31 janar të këtij viti vazhdojë ta udhëheqë partinë, pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm, asokohe, refuzoi dorëheqjen e tij pas një votimi të fshehtë të delegatëve.

Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e anëtarësisë dhe mori mbështetjen e delegatëve.

Në votimin e mbajtur asokohe delegatët u deklaruan me “PO” ose “JO” për pranimin e dorëheqjes së Abdixhikut. Nga rezultatet e shpallura, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes, ndërsa 136 votuan pro saj.

Në atë botë, Abdixhiku e ruajti postin e kryetarit me një diferencë prej 28 votash, duke siguruar mbështetjen e shumicës së delegatëve të pranishëm në Kuvend.

6 muaj më pas, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK u thirr përsëri pasi qindra delegatë dorëzuan një nismë për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku e caktoi mbajtjen e këtij kuvendi më 27 korrik, pas pakënaqësive brenda partisë me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli partia e tretë me 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse.

Nisma për shkarkimin e Abdixhikut erdhi pas përplasjeve të brendshme në LDK dhe pakënaqësive me mënyrën e udhëheqjes së partisë.

Këto zhvillime ndikuan edhe në procesin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Pas dorëzimit të nënshkrimeve për mocionin e shkarkimit, Abdixhiku njoftoi pezullimin e bisedimeve me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e institucioneve.

Ai tha se nuk mund të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati i tij për të udhëhequr dhe përfaqësuar partinë ishte vënë në diskutim brenda saj.

Më 10 korrik, Abdixhiku dhe ish-presidentja Vjosa Osmani ishin takuar me Albin Kurtin për të diskutuar krijimin e institucioneve të reja. Edhe pse takimi nuk solli rezultat konkret, të dy palët shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht. Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht mungesa e konsensusit mes partive për zgjedhjen e presidentit kishte çuar më herët në zgjedhjet e qershorit.

Sipas Statutit të LDK-së, në rast të shkarkimit të kryetarit aktual, partia duhet të thërrasë një kuvend të ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhet udhëheqësi i ri.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Nis votimi për fatin e Abdixhikut në LDK

Rreth orës 19:45 Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë nisur të votojnë pro apo kundër udhëheqjes së partisë nga ana e Lumir Abdixhiku.

Delegatët po votojnë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Në fillim të Kuvendit, Lumir Abdixhiku, mbajti një fjalim relativisht të gjatë, ku kritikojë bashkëpartiakët e tij për nismën.

Ai paralajmëroi edhe për pasojat e mocionit të mosbesimit, duke aluduar se nëse LDK-ja ndahet në dysh, atëherë edhe populli largohet nga kjo parti.

I njëjti gjithashtu nismën në fjalë e cilësoi si të gabuar, të pavend dhe të pakohë.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Zemaj ftohet të arsyetojë kërkesën për shkarkimin e Abdixhikut, Kuvendi i LDK-së vazhdon me dyer të mbyllura

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalimin e tij në Kuvendin e partisë, ku pritet të vendoset për të ardhmen e tij në krye të LDK-së.

Abdixhiku ka deklaruar se, sipas tij, ky Kuvend po mbahet në një kohë të gabuar, por ka thënë se beson në vullnetin demokratik të delegatëve.

Pas fjalimit të Abdixhikut, Armend Zemaj është ftuar të arsyetojë kërkesën për shkarkimin e kryetarit të LDK-së.

Zemaj ka qenë një nga nismëtarët kryesorë të kërkesës për thirrjen e këtij Kuvendi dhe ka prirë mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Abdixhikut.

Pas përfundimit të kësaj pjese, Kuvendi i LDK-së ka vazhduar punimet me dyer të mbyllura.